Apartamente per shitje në Shqipëri – Shqiptaret e Kosoves blenë mbi 30 milionë euro prona ne Shqiperi

interior01

Shqipëria dhe Kosova duhet shikuar si tregje komplementare dhe jo konkurruese. Kështu ka deklaruar kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës(OEK), Safet Gërxhaliu, me rastin e takimit me Ilir Zhillën, kryetar i Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë.

Gërxhaliu po ashtu ka thënë se partneriteti ekonomik me Shqiperinë është i një rëndësie të veçantë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, forcimit të besimit reciprok në mes të bizneseve kosovare dhe atyre shqiptare dhe sa më i avancuar të jetë ky bashkëpunim në mes të dy ekonomive komplementare dhe jokonkurruese, do të jemi më seriozë ndaj një populli në dy shtete të ndara, ndaj investorëve potencialë nga jashtë, ndaj fondeve strukturale evropiane dhe mbi të gjitha ndaj Brukselit si pikësynim i përbashkët i të dyja shteteve.

Gjatë vizitës që i bëri Zhilla Odës Ekonomike të Kosovës u bisedua për sfidat aktuale në bashkëpunimin ekonomik mes dy komuniteteve të biznesit, për pasojat dhe dëmet që ka shkaktuar pengimi i depërtimit të patates së Kosovës në Shqipëri, por në të njëjtën kohë kërkoi nga kryetari Gërxhaliu që të bëjë dialogim konstruktiv me Doganat e Kosovës lidhur me mundësinë e zgjatjes së orarit të punës së doganierëve kosovarë në pikën kufitare në Vërmicë 24 orë, sepse pritja e bizneseve nga Shqipëria në pikën kufitare prej orës 19:00 në mbrëmje deri në ora 08:00 të mëngjesit të ditës së nesërme është një barrierë, e cila e pengon avancimin e bashkëpunimit ndërshtetëror.

Po ashtu ai ceku edhe deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, që në raporte

tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të eliminohen të gjitha barrierat, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të kontribuojmë në zhvillimin ekonomik reciprok dhe të rrisim atraktivitetin për investitorë të huaj.

Zhilla po ashtu apeloi tek komuniteti i biznesit kosovar, të cilët kanë përvojë evropiane në menaxhim të hoteleve, restoraneve dhe agjencive turistike që të jenë të orientuar drejt Shqipërisë për të gjetur mundësinë e marrjes së hoteleve në Shqipëri për menaxhim dhe shfrytëzim, pasi që shumë hotele në Shqipëri janë të pashfrytëzuara nga vetë fakti i mungesës së aftësive menaxheriale, aftësi të cilat shumë kosovarë i posedojnë por nuk kanë kapital për të ndërtuar kapacitete të tilla hoteliere.

E tëra kjo do të ndikojë edhe në ngritjen e shfrytëzimit të mundësive dhe kapaciteteve hoteliere në Shqipëri përmes sistemit know-how dhe kuptohet të arrihen efekte të dyanshme pozitive.

Të dyja palët u pajtuan se vërtet duhet të avancohet dialogimi me tematikë ekonomike në mes të dyja shteteve dhe duhet të eliminohen të gjitha barrierat që e pengojnë këtë proces dhe të kthehet besueshmëria në mes të dy komuniteteve për projekte dhe investime të përbashkëta në të ardhmen, sepse nga ky ngërç i krijuar për momentin mund të përfitojnë shtetet e rajonit dhe më gjerë e jo Kosova dhe Shqipëria.

Të shfrytëzohen të gjitha potencialet

Kryetari Safet Gerxhaliu theksoi se e gëzon fakti që pas ndërtimit të Rrugës së Kombit, interesimi i kosovarëve për blerjen e apartmaneve në Shqipëri është në rritje e sipër dhe se vetëm në vitin 2011 janë blerë banesa dhe apartmane në vlerë prej afër 30 milionë eurosh, por kjo në të njëjtën kohë obligon që partneriteti ekonomik të jetë në fokus, pasi që pa bashkëpunim ekonomik dhe shfrytëzim maksimal të të gjitha potencialeve komperative Rruga e Kombit dhe investimet në infrastrukture nuk do të kenë efektin e pritur./zeri

Print

Comments are closed